
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar llogari nga Bashkimi Evropian për mosftesën e përfaqësuesve shtetërorë të Kosovës në Forumin e Zgjerimit dhe interpretimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe gjatë një aktiviteti të organizuar në Bruksel, shkruan Gazeta Politika.
Shqetësimet dhe kërkesat e tyre, deputetët ia kanë përcjellë të hënën shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, gjatë raportimit të tij para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.
Takimi ishte i mbyllur për media, ndërsa hollësi ka dhënë kryetarja e Komisionit, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka deklaruar se nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar sqarim zyrtar me shkrim, kërkimfalje dhe përgjegjësi nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, si organizatore e forumit.
“I kam adresuar tri kërkesa ndaj komisioneres Marta Kos për sqarime dhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen dhe përzgjedhjen e shteteve në Forumin e Zgjerimit. Ndërkohë kam kërkuar edhe nga kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme që ta thërrasë në përgjegjësi komisioneren Kos dhe të kërkojë sqarime institucionale për mungesën e Kosovës dhe për këngën”, ka thënë Lushaku-Sadriu, shkruan KOHA.
Ajo ka theksuar se incidente të tilla nuk duhet të përsëriten dhe se Kosova duhet të trajtohet me dinjitet nga institucionet evropiane.
“Kjo duhet ta parandalojë çdo incident në të ardhmen, të sigurojë që Kosova të jetë në perspektivën evropiane, meqë në çdo dokument strategjik të BE-së Kosova i ka të hapura dyert për t’u integruar. Për këtë meritojmë sqarime zyrtare dhe tash e tutje duhet që sqarimet dhe raportet të jenë edhe me shkrim dhe Kosova të trajtohet dinjitetshëm brenda institucioneve të BE-së”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, ambasadori Schuebel nuk i ka përmendur publikisht kërkesat që iu drejtuan nga anëtarët e Komisionit.
Në një postim në platformën “X”, ai ka bërë të ditur se me deputetët kishte diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe reformat e lidhura me Planin Evropian.
Në koncertin e organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit në Bruksel ishte interpretuar melodia e një kënge nacionaliste serbe, teksti i së cilës përmban pretendime ndaj Kosovës. Komisionerja Marta Kos dhe drejtuesi i grupit muzikor kanë shprehur keqardhje dhe kanë kërkuar falje për incidentin.
Kosova nuk ishte përfaqësuar nga zyrtarë të institucioneve shtetërore në këtë forum.



