
PDK, LDK dhe AAK kritikojnë ashpër përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për ta mandatuar Glauk Konjufcën si kryeministër, duke e quajtur një veprim pa legjitimitet politik e kushtetues.
Pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për ta propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për kryeministër, partitë opozitare kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë përpjekje si një veprim të kotë politik që zvarrit krizën institucionale në vend.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në reagimin e saj zyrtar ka theksuar se çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin Vetëvendosjes është humbje kohe dhe zvarritje e panevojshme, pasi është e qartë se nuk ekziston shumicë parlamentare.
“Siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces. Realiteti politik është i qartë – askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë,” thuhet në reagimin e PDK-së, e cila kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme si zgjidhjen e vetme demokratike.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar duke e quajtur situatën një “shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra e pa shumicë”, që sipas tij duhet të marrë fund.
“Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Në Kuvend nuk ka shumicë, dhe kjo është e qartë për të gjithë,” ka deklaruar Abdixhiku, duke i bërë thirrje Presidentes Vjosa Osmani që të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare dhe ta shpallë përfundimin e përpjekjeve për formim qeverie.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga Presidentja publikimin e listës së 61 deputetëve që pretendohet se mbështesin mandatarin e ri.
“Nuk e pashë listën e nënshkrimeve të 61 deputetëve për mandatar të dytë. Presidente, publikoje listën, se është obligim kushtetues,” ka thënë Haradinaj.
Të tri partitë opozitare janë të njëzëshme se nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e qeverisë dhe se çdo përpjekje tjetër nga Vetëvendosje është vetëm një lojë politike për të fituar kohë.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje insiston se mandati i dytë është i ligjshëm dhe se po kërkon të sigurojë shumicën për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, ndërsa afati kushtetues për vendimin e Presidentes Vjosa Osmani skadon më 5 nëntor.



