Mamdani fiton zgjedhjet, kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut

Zohran Mamdani shënon fitore historike si socialist-demokrat, duke sfiduar të djathtën dhe duke dërguar një mesazh të fuqishëm Presidentit Donald Trump.

Zohran Mamdani ka fituar zgjedhjet për kryebashkiak të New York-ut, të martën, më 4 nëntor, duke hyrë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman dhe njëkohësisht si përfaqësuesi i parë socialist-demokrat që udhëheq qytetin që nga viti 1917.

Pas shpalljes së rezultatit, Mamdani mbajti një fjalim entuziast, në të cilin iu drejtua Presidentit amerikan Donald Trump me një mesazh të drejtpërdrejtë:

Donald Trump, e di që po e shikon, kam katër fjalë për ty: Rrit volumin.

Në fjalimin e tij, Mamdani u zotua për reforma të thella ekonomike dhe shoqërore, duke theksuar se administrata e tij do të përballet me abuzimet e pasurisë dhe privilegjeve:

“Ne do të mbajmë përgjegjës pronarët e këqij të pasurive, sepse njerëz si Trump kanë qenë shumë rehat duke shfrytëzuar qiramarrësit. Do të vendosim një fund për kulturën e korrupsionit që i ka lejuar miliarderët të shmangin taksat dhe të përfitojnë nga sistemet fiskale.”

Ai premtoi gjithashtu mbështetje të fuqishme për punëtorët dhe sindikatat:

“Ne do të qëndrojmë përkrah sindikatave dhe do të zgjerojmë mbrojtjen e punëtorëve, sepse e dimë, ashtu si Trump, që kur punonjësit kanë të drejta të garantuara, ata që kërkojnë t’i shfrytëzojnë bëhen shumë të vegjël.”

Në përfundim të fjalimit, Mamdani nënvizoi identitetin e tij si emigrant dhe vlerat që përfaqëson New York-u:

“New York-u do të mbetet një qytet i emigrantëve, një qytet i ndërtuar nga emigrantët, fuqizuar nga emigrantët, dhe nga mbrëmë, drejtuar nga një emigrant. Për të arritur te ndonjëri prej nesh, do të duhet të kaloni mbi të gjithë ne!”

Pavarësisht një fushate të ashpër islamofobike dhe shpenzimeve të mëdha të së djathtës — rreth 34 milionë dollarë të destinuara kundër tij — Mamdani arriti një fitore të bindshme. Analistët e cilësojnë këtë rezultat si një kthesë historike për politikën e New York-ut dhe si fundin e ndikimit të politikanëve tradicionalë si Andrew Cuomo.

Back to top button