
Kandidati për mandat të dytë në krye të Prishtinës, Përparim Rama, është dërguar për trajtim mjekësor pas dyshimeve për grip sezonal, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të marrë pjesë në debatin e fundit para zgjedhjeve.
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, është hospitalizuar të enjten, vetëm pak ditë para balotazhit zgjedhor.
Sipas burimeve të portalit Nacionale, një ambulancë ka shkuar për t’i ofruar ndihmë mjekësore Ramës, i cili dyshohet se është prekur nga gripi sezonal.
Rama pritej të merrte pjesë në debatin e fundit televiziv për balotazhin e së dielës, ku do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrull Çeku. Ende nuk është konfirmuar nëse gjendja e tij shëndetësore do ta pengojë të paraqitet në “Debat Plus” mbrëmjen e sotme.
Zyrtarë të LDK-së ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë publike lidhur me gjendjen e kandidatit të tyre.



