
Gjenerali amerikan pritet të jetë dëshmitari i fundit para fazës përfundimtare të procesit gjyqësor.
Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, pritet të nis sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Clark ishte planifikuar të dëshmonte më 18 nëntor, por Trupi Gjykues vendosi të rezervojë një ditë shtesë dhe ta nisë dëshminë më herët, të hënën, më 17 nëntor.
“Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë,” njoftuan Dhomat e Specializuara.
Sipas Speciales, dita e shtesë është caktuar për të mundësuar mbylljen sa më efikase të paraqitjes së argumenteve nga Mbrojtja, ndonëse palët janë ftuar të përpiqen ta përfundojnë dëshminë më herët, nëse është e mundur.
Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit në këtë proces. Pas përfundimit të dëshmisë së tij, çështja do të kalojë në fazën përfundimtare të deklarimeve të palëve, përpara se trupi gjykues të shpallë vendimin.



