
Kryetari i Prishtinës njofton se ka dërguar kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar rrezikimin e shërbimeve bazike për qytetarët pas bllokimit të buxhetit të Kryeqytetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka dorëzuar një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese, pas asaj që ai e ka quajtur “bllokim arbitrar” të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave. Sipas tij, ky veprim ka krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për funksionimin normal të shumë shërbimeve themelore për qytetarët e Prishtinës.
Rama ka theksuar se bllokimi i buxhetit po ndikon në pastërtinë e qytetit, sigurimin social, mirëmbajtjen e infrastrukturës, si dhe pagesat për punëtorët komunalë dhe kontraktuesit. Ai e ka cilësuar këtë si një “goditje politike” ndaj Kryeqytetit dhe vetë qytetarëve të tij, duke theksuar se një situatë e tillë është e papranueshme.
“Prandaj jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit,” ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se në një periudhë kur Prishtinës i nevojiten zgjidhje e jo pengesa shtesë, pritet një vendimmarrje e shpejtë dhe e drejtë nga Gjykata Kushtetuese, që do të mundësonte zbatimin e ligjit dhe rikthimin e stabilitetit financiar të Kryeqytetit.



