
Seanca ndaj Bedri Shabanit, i akuzuar për dyshimet për spiunazh për Serbinë, është anuluar sërisht.
Siç ka njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës, arsyeja e anulimit është kërkesa që kjo gjykatë ka bërë për ekzaminimin të gjendjes mendore të Shabanit.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.13/2025, ndaj të akuzuarve B.SH. dhe M.Q., për shkak të veprës penale Spiunazhi, e caktuar për datë 20.11.2025 sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është anuluar, pasi trupi gjykues në këtë çështje penale ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit B.SH., sipas propozimit të mbrojtjes së të pandehurit B.SH. Anulimi është bërë nga trupi gjykues dhe bazohet në faktin se është urdhëruar ekzaminimi psikitatrik i të pandehurit B.SH, i cili ekzaminim nuk mund të përfundohet në kohë të shkurtër. Gjykata njofton se lidhur me caktimin e datës së radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave të gjykatës” – thuhet njoftimin e gjykatës, transmeton Gazeta Politika.



