
Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, i ka komentuar Ermal Sadikut, deputet i LDK-së, në një status rreth sektorit të energjisë.
Sadiku ka pasur një kritikë për politikanët, përfshirë veten, rreth mosndërtimit të kapaciteteve energjetike, shkruan Gazeta Politika.
“Sot prodhojmë më pak energji elektrike sesa para 10 vjetësh. Pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm që nuk kemi ecur përpara, por në prodhim kemi shkuar prapa.
Tmerr!
Marre për mua, për ju dhe për krejt neve që kemi pasur përgjegjësi për këtë shtet” – shkroi Sadiku, ndër të tjera.
Në fakt, Hoti e Sadiku kanë shkëmbyer komente. Fillimisht, Hoti e akuzoi Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, ndonëse nuk ia përmendi emrin.
“Ermal,
Po harron se ky qe eshte ne krye te Qeverise, i ka anuluar dy projekte madhore energjetike: Termocentralin Kosova e Re dhe projektin e gazit.
Kosova e Re sot do ishte ne funksion duke prodhuar rryme, nderkaq projekti i gazit sigurisht se do ishte ne perfundim e siper” – shkroi Hoti.
Në replikën e tij me shkronja, Sadiku tha se përvec VV-së, faj “kemi edhe ne”.
“Pajtohem, Kryeministër, se përgjegjësinë kryesore për situatën e sotme energjetike e mban VV-ja. Por edhe ne i kemi fajet tona.
Të njëjtën gjë e thonë edhe ata për Bilfinger ose shitjen e KEDS dhe neve.
Unë ndoshta e kam më të lehtë të kritikoj, sepse nuk kam qenë pjesë e politikës në të kaluarën. Ndoshta edhe e kam më të lehtë të gaboj në vlerësimet e mia.
Por besoj fuqishëm se e ardhmja energjetike e Kosovës është shumë më e rëndësishme sesa gjetja e fajtorëve për të kaluarën.
Përgjegjësia duhet të kërkohet nga të gjithë, por nuk mund ta kalojmë edhe një dekadë duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit.
Duhet të ulemi bashkë, të reflektojmë dhe të ndërtojmë një strategji afatgjatë për energjinë e Kosovës” – shkroi në replikë Sadiku, transmeton Gazeta Politika.
E me sa duket Hotit nuk i pëlqeu komenti, sepse në kundër-komentin e tij, Hoti e akuzoi Sadiku për “rënie pre” të “propagandës së kuqe”.
“Ermal Sadiku
E paskemi edhe ne faj pse ky i ka anuluar projektet, e ka gjashte vjet qe nuk ben asgje?!
Per Bilfinger, ke rene pre e propagandes se kuqe” – shkroi Hoti.
Ndërsa Sadiku e ftoi për drekë gjatë javës për t’ia sqaruar se ku qëndron mashtrimi.
“Avdullah Hoti Shihemi për drekë gjatë javës. Ma sqaro ku qëndron mashtrimi.
Unë e thashë qartë se mund të jem gabim dhe di të kërkoj falje kur gaboj.
Por një gjë është e sigurt: përgjegjësisë sime nuk i iki” – shkroi Sadiku./Gazeta Politika.



