
Kreu i VV-së e quan ditën e zgjedhjeve “festë të demokracisë” dhe thekson rëndësinë e përgatitjeve të duhura nga institucionet.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për caktimin e datës 28 dhjetor si ditë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Sipas Kurtit, caktimi i kësaj date ishte edhe kërkesë e VV-së.
“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presim”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se dita e zgjedhjeve është një “festë e demokracisë” dhe bëhet më madhështore kur ka pjesëmarrje të lartë të qytetarëve me të drejtë vote, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit qytetar.



