
Këshilli Prokurorial ka publikuar vendimin e plotë me arsyetimin për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, shkruan KOHA.
Në dokument theksohet se, duke qenë se kjo Prokurori ka juridiksion mbi korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, kontrolli mbi ndarjen manuale të lëndëve për prokurorët “mund të ndikojë drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimit”
Këshilli Prokurorial (KPK) ka ngritur dyshime se gjatë kohës sa ishte kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka mundur ta diktojë rrjedhën e hetimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Në vendimin e plotë për shkarkimin e tij, e të cilin e ka publikuar KPK-ja, theksohet se kjo ka mundur të mbërrihet duke caktuar prokurorët vetë dhe jo nëpërmjet procesit që e kërkon ligji.
KPK-ja ka theksuar në vendim se ndarja elektronike dhe e rastësishme e lëndëve nuk është çështje teknike, por garanci institucionale, që asnjë person, përfshirë vetë kryeprokurorin, të mos përcaktojë se cili prokuror do të veprojë në cilën lëndë.
“Rreziku që kjo garanci synon të parandalojë është më i rëndë në Prokurorinë Speciale se kudo tjetër, sepse kjo Prokurori ka juridiksion mbi korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, ku kontrolli mbi caktimin e prokurorit mund të ndikojë drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit. “Duke e mbajtur ndarjen e lëndëve nën kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, pa kritere objektive dhe pa arsyetim, Blerim Isufaj ka cenuar parimet e paanshmërisë, transparencës dhe integritetit institucional, si dhe detyrimin për ushtrimin efikas dhe efektiv të funksioneve sipas nenit 7 të Ligjit Nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit”.
Neni 12 i Ligjit për Prokurorin e Shtetit e përcakton në mënyrë të prerë raportin mes rregullit dhe përjashtimit. Sipas KPK-së, rregulli është që ndarja e lëndëve bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit elektronik, ndërkaq përjashtimi është që ndarja manuale lejohet vetëm në raste specifike, siç parashihet me aktin nënligjor të Këshillit.



