Agim Veliu sërish jashtë listës së LDK-së, reagon ashpër: Manovër e ulët, por nuk do të heshtë e as tërhiqem

Veliu e quan “manovër të ulët” mos përfshirjen në listën zgjedhore, duke thënë se nuk do të heshtë e as të tërhiqet.

Agim Veliu nuk është përfshirë në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ashtu si në zgjedhjet e 9 shkurtit, emri i tij mungon sërish në listë, çka ka sjellë reagimin e tij të ashpër ndaj lidershipit të partisë.

banner

Veliu e ka quajtur këtë veprim “manovër të ulët”, duke theksuar se përjashtimi i tij nuk është vendim politik, por rezultat i “frikës dhe kalkulimeve të vogla” nga individë brenda LDK-së.

Në reagimin e tij të plotë, Veliu ka falënderuar qytetarët, aktivistët dhe anëtarët e partisë që kërkuan përfshirjen e tij në listë, duke theksuar se ai kurrë nuk ka humbur asnjë garë politike.

“Po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime. Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur LDK-në fituese për vite me radhë”, ka shkruar ai.

Veliu ka deklaruar se dikush “është trembur nga fuqia e tij elektorale dhe integriteti i dëshmuar me punë e me votë”, duke shtuar se ky vendim nuk e nënçmon atë personalisht, por votuesit që e kanë mbështetur për vite me radhë.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të heshtë:

“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund. Ky është vetëm fillimi.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.