
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë një takimi me gratë e partisë, ku foli për nënën e tij, bashkëshorten Albina dhe dy vajzat e tij, Erën dhe Rozin.
“Sonte dua t’ju flas si bashkëshort. Dua t’ju flas si baba”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se shumë nga gjërat më të rëndësishme në jetë i ka mësuar pikërisht nga gratë.
“Shumë prej gjërave më të rëndësishme për jetën, forcën dhe qëndrueshmërinë, i kam mësuar pikërisht nga gratë”, u shpreh ai.
Abdixhiku foli me emocion për nënën e tij të ndjerë, për të cilën tha se ia mësoi respektin për gratë përmes shembullit dhe sakrificës.
Po ashtu, ai foli edhe për bashkëshorten e tij, Albina.
“Vetëm kur krijon familje e kupton sa shumë peshë mbajnë gratë në heshtje”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se shpesh burrat i marrin si të zakonshme sakrificat e grave.
“Shumë prej stabilitetit të jetës sonë ka pasur fytyrën e një gruaje”, tha ai.
Lideri i LDK-së foli edhe për vajzat e tij, Erën dhe Rozin, duke thënë se dëshiron që ato të rriten të pavarura dhe të forta.
“Dua që të kenë bindjen se mund t’i arrijnë vetë ëndrrat e tyre”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, ai ngriti shqetësimin për pozitën e grave në Kosovë dhe nivelin e lartë të joaktivitetit të tyre në shoqëri.
“Nuk mund të pranojmë idenë se 65% e grave në Kosovë janë joaktive”, deklaroi ai.



