
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, duke theksuar se kjo është bërë pas kërkesës së delegatëve për shkarkimin e tij.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka rikujtuar se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ky është Kuvendi i katërt, ndërsa në tri rastet e mëparshme kishte kërkuar vetë besimin e anëtarësisë.
Sipas Abdixhikut, kërkesa aktuale për shkarkimin e tij përbën një praktikë që nuk ka ndodhur më parë në historinë 37-vjeçare të LDK-së.
“Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”, është shprehur ai.
Abdixhiku tha se e kishte konsideruar Kuvendin e Jashtëzakonshëm si të panevojshëm, të pakohë dhe përçarës, por shtoi se e pranon procesin në emër të demokracisë.
“Demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj”, ka deklaruar ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se në Kuvend do të hyjë me qetësi dhe besim tek delegatët e partisë, duke i ftuar ata të qëndrojnë të bashkuar.
“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet të enjten, më 30 korrik, në orën 18:00.



