
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët.
Sipas njoftimit të LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka verifikuar të gjitha nënshkrimet e dorëzuara dhe ka konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve të Kuvendit, i nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Partia bën të ditur se, pas përfundimit të procesit të verifikimit, kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, duke filluar nga ora 18:00.
Sipas LDK-së, vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara në Statut.
Në fund të njoftimit, LDK thekson se procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve.



