
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ky i fundit paralajmëroi se do ta padisë për një koment në të cilin Krasniqi e kishte quajtur “vrasës”.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se çdo neglizhencë, mosveprim apo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve dhe punëtorëve e bën përgjegjës kryesor kryetarin e komunës.

“Çdo neglizhencë, mosveprim apo veprim që cenon qytetarët, punëtorët dhe sigurinë e tyre me gjithë paralajmërimet e bëra dhe rastet e përsëritura e bën përgjegjës kryesor Përparim Ramën”, ka shkruar ai.
Krasniqi e akuzoi më tej Ramën për degradim të qytetit, bashkëpunim me “mafinë e ndërtimit”, dhënie të lejeve të ndërtimit pa kritere dhe hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë.
Në fund, ai tha se Rama një ditë do të përballet me drejtësinë.
“Nëse jo dje dhe sot, nesër do të përgjigjesh para një drejtësie që ka guximin me luftu krimin e me të vendosë para përgjegjësisë”, ka shkruar Krasniqi.



