
Pesë vite pas paraburgimit, Kryeministri i Kosovës argumenton se nuk ekziston më asnjë arsye ligjore apo morale për vazhdimin e qëndrimit të tyre nën hetime.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar publikisht lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.
Në një deklaratë të publikuar sot, Kurti ka theksuar se Prokuroria e ka përfunduar rastin dhe nuk ka më dëshmitarë, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë arsye ligjore ose morale që të vazhdohet mbajtja e tyre nën hetime.
“Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet,” shkruan Kurti, duke përmendur përpjekjet e tij si deputet dhe Kryeministër për t’u paraqitur argumentet dhe kërkesat për lirimin e tyre.
Kryeministri gjithashtu ka publikuar letrën e dërguar në shtator të vitit 2022 znj. Trandafilova, ku kërkonte lirimin e tyre, duke theksuar se përgjigja e marrë nuk ka ndryshuar që prej asaj kohe. Ai ka bërë thirrje që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jenë pranë familjeve, duke vijuar misionin e tyre për lirinë dhe drejtësinë e Kosovës.
Kurti ka përmendur gjithashtu se në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë ligjore për lirimin e tyre, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm.



