
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar protesta lidhur me refuzimin e projektit të gazit amerikan, pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se nuk e kishte parë thirrjen e Ambasadës së SHBA-së për përfshirjen e Kosovës në këtë projekt.
Përmes një reagimi publik, Hoti kritikoi Haxhiun për qëndrimin e saj dhe tha se çështja e gazit është shumë serioze për t’u shpërfillur.
“Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, ka shkruar Hoti.
Ai akuzoi qeverisjen aktuale se ka minimizuar vazhdimisht paralajmërimet që kanë ardhur nga partnerët ndërkombëtarë.
“Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur”, tha ai.
Sipas Hotit, mosserioziteti ndaj projektit të gazit amerikan tregon qartë prioritetet e qeverisë aktuale.



