
Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar në Konventën e mbajtur të hënën.
Në një prononcim për IndeksOnline, Vllasi tha se ndryshimet në krye të PDK-së pikërisht në këtë moment, para vendimit përfundimtar për shpalljen e zgjedhjeve të reja, janë tregues se brenda partisë po ndodhin lëvizje të pazakonta.
Vllasi gjithashtu vuri në dukje se qëndrimi kritik i Enver Hoxhajt, të cilin e konsideron ‘figura më serioze politike brenda PDK-së’, u shpërfill plotësisht, gjë që sipas tij tregon përçarje të dukshme brenda partisë.
“Enver Hoxhaj, njeriu politikisht më serioz në PDK pati qëndrim ndryshe por nuk u përfill. Shpejt do shihet për çka bëhet fjalë”, ka thënë Vllasi për IndeksOnline.
Ai theksoi se mbetet e paqartë pse u bë një ndryshim kaq i shpejtë dhe i ngutshëm, duke shtuar se ky proces lë vend për dyshime.
“Mund të pritet rebelimi i Hogjajt me 4-5 deputetët nga ata të PDK-s dhe me ato 56 vota që ishin për Kurtin, të votohet Qeveria Konjufca”, ka thënë Vllasi.
“Kjo do të ishte më e mira për Kosovën, sesa të shkohet në zgjedhje të reja me të njëjtat fytyra që po e mbajnë shtetin të bllokuar. Nëse ndodh një qeveri e tillë, Hoxhaj dhe Limaj do të kishin meritën që e nxorën vendin nga kriza”, është shprehur Vllasi.



