
Nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është ngritur si çështje edhe në Komisionin Evropian.

Gazetari në Bruksel, Ekrem Krasniqi, e ka pyetur zëdhënësin e Komisionit Evropian, Christian Wigand, nëse BE-ja ka një qëndrim për mundësinë që, në rast se Dhoma e Apelit urdhëron rigjykim ndaj Hashim Thaçit dhe tre të tjerëve, procesi të zhvillohet në gjykatat e Kosovës.
Wigand ka thënë se Komisioni nuk komenton njoftime apo plane të tilla, duke ritheksuar mbështetjen e BE-së për Dhomat e Specializuara.
“Të themeluara me vendim të Kuvendit të Kosovës në 2014, 2015, duke vepruar brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe punën e të cilave BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht. Puna e saj është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies, duke u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës”, ka thënë Wigand.

Ai ka rikujtuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në Apel.
“Personat e dënuar në aktgjykimin e shkallës së parë sigurisht që kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një panel të veçantë të apelit të Specializuar të Kosovës.”
Wigand ka shtuar se qëndrimi i BE-së ndaj Dhomave të Specializuara nuk ka ndryshuar.
“Mbështetja jonë për Dhomën është e qëndrueshme dhe do të mbetet e tillë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të ndjekë të gjitha krimet e pretenduara të luftës të periudhës 1998–1999, Wigand nuk ka dhënë një përgjigje konkrete për shtrirjen e juridiksionit.
Ai ka përsëritur qëndrimin e BE-së se procedurat duhet të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur dhe mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale.
“BE-ja mban shënim që Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, ka deklaruar Wigand.
Reagimi vjen pasi PDK-ja ka proceduar në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa Komisioni Evropian, të paktën në këtë deklarim publik, nuk është shprehur për përmbajtjen konkrete të propozimit.



