Behgjet Pacolli: Po zhvillohet një komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim

Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ai, sulmeve të koordinuara kundër tij në Shqipëri, në prag të përfundimit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar me tone të forta ndaj fushatës së fundit mediatike që, sipas tij, është “një komplot i koordinuar në Shqipëri” për njollosjen e emrit të tij.

Në një postim publik, Pacolli ka pyetur se kush po qëndron pas “ofendimeve dhe shpifjeve” që po qarkullojnë në mediat shqiptare, duke vënë në dukje se ato po ndodhin pikërisht tani kur projekti i aeroportit të Vlorës, ku ai është i përfshirë, po i afrohet përfundimit.

“Çfarë është ky komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim, pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?! Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse?”, – ka shkruar Pacolli.

Ai ka mohuar të ketë dhënë intervista apo të ketë nisur procese gjyqësore që mund të lidhen me këtë situatë, duke shtuar se nuk është ftuar nga askush për të dhënë dëshmi apo sqarime.

“Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon”, – ka theksuar Pacolli.

Duke folur për kontributin e tij në ekonomi dhe investime, Pacolli ka thënë se ka derdhur “qindra miliona euro nga asetet personale”, pa përdorur fonde publike, dhe se qëllimi i tij është të lërë në Vlorë një trashëgimi.

“Faktet, dokumentet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira. Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im!”, – ka përfunduar ai.

Back to top button