
Zyrtari i NISMËS Socialdemokrate thotë se Limaj i ka bërë të qartë Kurtit se bashkëpunimi do të jetë vetëm në Kuvend, jo në ekzekutiv.
Bilall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate ka deklaruar se kryetari i partisë, Fatmir Limaj, nuk ka shprehur interesim për të hyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. Ai ka bërë të ditur në emisionin “Pressing” në T7 se Limaj i ka sqaruar Kurtit që në takimin e parë se NISMA është e gatshme vetëm për partneritet parlamentar, jo për pjesëmarrje në ekzekutiv.
“Kryetari Limaj nuk ka hyrë në negociata për Qeveri. Ai ka folur, por ne nuk kemi folur. E vërteta është që në takimin e parë, pas asaj intervistës së famshme, Limaj ia ka bërë të qartë Kurtit që jemi të gatshëm për partneritet në Parlament, por jo për Qeveri,” ka thënë Sherifi.
Kryeministri Kurti kishte deklaruar më herët se i kishte ofruar NISMA-s pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra. Por Sherifi theksoi se kjo ofertë nuk është diskutuar asnjëherë në mënyrë formale, pasi Limaj nuk ka lejuar që tema të shkojë deri te ndarja e posteve.
“Pak ka rëndësi çfarë ka menduar ai – një apo dy ministri – sepse Limaj nuk e ka lënë me fol për këtë temë,” ka shtuar Sherifi.
Sipas tij, qëndrimi i NISMËS është i qartë: bashkëpunim në Kuvend për tema me interes nacional, por pa hyrë në strukturën qeveritare të Kurtit.



