
Deputeti i AAK-së i bën thirrje Presidentes Osmani që të publikojë listën e 61 deputetëve që e mbështesin mandatarin e propozuar për kryeministër.
Pas propozimit të Glauk Konjufcës nga kryeministri Albin Kurti si mandatar i dytë për formimin e qeverisë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të publikohet lista e nënshkrimeve të deputetëve që e mbështesin mandatarin.
“Nuk e pashë listën e nënshkrimeve të 61 deputetëve për mandatar të dytë. Presidente, publikoje listën se është obligim kushtetues,” ka deklaruar Haradinaj për mediat, duke theksuar nevojën për transparencë dhe respektim të procedurave ligjore.
Ky reagim vjen në një kohë kur vendi ndodhet në krizë politike pas përpjekjeve të dështuara për formimin e qeverisë dhe mungesës së shumicës parlamentare. Haradinaj kërkon që qytetarët dhe partitë opozitare të informohen qartë mbi mbështetjen reale parlamentare për kandidatin e propozuar.



