Deda: Kosova s’ka nevojë për president që mëson zanatin, por për një me dije dhe përvojë në marrëdhënie ndërkombëtare

Opinionisti thotë se figura e kreut të shtetit s’mund të jetë dikush që “mëson zanatin” në vitin 2026.

Opinionisti Ilir Deda ka vlerësuar se në debatin aktual politik po harrohet domethënia reale e postit të Presidentit të Kosovës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e një ministri, por të një figure që garanton balancat institucionale dhe kohezionin e brendshëm.

banner

“Me gjasë Kosova e ka harru domethënien e presidentit. Nuk jemi në proces të zgjedhjes të një ministri të jashtëm apo të brendshëm, por të një figure që – përpos përfaqësimit jashtë Kosovës – edhe i garanton balancat e brendshme politike e institucionale, dhe është adresë e kohezionit të brendshëm (‘uniteti’), për aq sa është e mundur”, ka shkruar Deda.

Ai thekson se sistemi aktual politik kërkon dakordancë mes pozitës dhe opozitës, ndërsa konsultimet e nisura mes partive i konsideron të domosdoshme dhe pozitive.

Sipas tij, në këto konsultime kyç është profili politik për të cilin do të bien dakord partitë, pasi jo secili mund ta ushtrojë detyrën e Presidentit.

“Duhet profil që edhe i përmbush kërkesat e partive e po ashtu edhe që ka dije dhe përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 2026 nuk ka kurrfarë arsye që figura e presidentit të ardhshëm të jetë dikush që e ‘mëson zanatin’”, thekson ai.

Deda shton se është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë, në dialogun e tyre, të bëjnë një lexim të saktë të prioriteteve të Kosovës, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, dhe të përcaktojnë “kriteret bazë” që duhet t’i përmbushë kandidati i përbashkët.

“E pastaj është shumë më lehtë të gjindet emri”, përfundon ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.