
Bashkësia Islame e Kosovës e ka mbështetur “Marshin për Liri” që do të mbahet më 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
“Myftiu Tërnava shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë dhe gatishmërinë për të kontribuar në mbarëvajtjen e marshit, duke përcjellë një mesazh solidariteti, uniteti dhe respekti për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, kanë thënë nga platforma Liria Ka Emër, shkruan VOX Kosova.

Përkrahje këtij marshi i ka dhënë edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji.
“Imzot Dodë Gjergji ka shprehur mbështetjen e tij për Marshin për Liri, duke vlerësuar rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe qëndrimit të përbashkët në mbështetje të vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës”, thanë nga Liria ka Emër.
“Marshi për Liri”, do të mbahet katër ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, do të merret më 16 shtator.
Të katër këta akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga ta.
Nga ana tjetër, ish-krerët e UÇK-së, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.



