
Jeton Ramadani ka lavdëruar kandidatin e LDK-së, duke e cilësuar si burrë me nder, që ka qëndruar krah për krah me babain e tij në luftë dhe që sot punon për popullin.
Djali i heroit të kombit, Agim Ramadani, Jeton Ramadani, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar se zakonisht nuk flet për politikë, por këtë herë ka vendosur të flasë “për burrat me nder”. Ramadani ka kujtuar se Gashi ka qëndruar krah për krah me babain e tij gjatë luftës dhe se edhe sot vazhdon të qëndrojë në shërbim të popullit.
“Xhafer Gashi ka qëndruar krah për krah me babën tim në luftë dhe ende sot qëndron për popullin e tonë. Njeri që ndërton, jo që ndan. Kosovës i duhen udhëheqës me zemër dhe besnikëri — jo zhurmë. Respekt për një burrë me vizion të vërtetë”, ka shkruar Ramadani.
Në këtë mënyrë, Jeton Ramadani ka dërguar një mesazh të qartë për mbështetje ndaj Gashit, duke theksuar rëndësinë e udhëheqësve me vlera, përkushtim dhe vizion në shërbim të vendit.



