
Sipas Eliza Hoxhës, drejteuse e platformës “Liria ka emër”, mbi 200 mijë qytetarë pritet të jenë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet me 17 shkurt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një konferencë për media, Hoxha ka theksuar se marshit në lidhje me gjykimin në Hagë i janë bashkuar sindikata, mësimdhënës, mjekë, artistë, sportistë dhe përfaqësues të bashkësive fetare e të tjerë.
“Kjo nuk është çështje partie, pushteti, por është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar. Kemi marrë konfirmime nga shqiptarë nga i gjithë rajoni dhe Evropa. Diaspora jonë po organizohet, po vjen, po udhëton me orë të tëra për të qenë bashkë. Po na vijnë fotografi e mesazhe me familje të cilat na tregojnë që do të jenë prezente aty bashkë. Ky është momenti kur e kupton që ky marsh nuk i përket vetëm një platforme dhe individi, thjesht ky marsh i përket popullit të Kosovës. Presim mbi 200 mijë qytetarë në këtë marsh. Do të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Por madhështia e tij nuk matet vetëm me numra, por do të matet me qetësinë tonë, me disiplinën dhe dinjitetin tonë dhe seriozitetin e mesazhit që do të përcjellim atë ditë” – ka thënë ajo.
Sikurse u njoftua, në marshin e 17 shkurtit do të performojnë edhe këngëtarët Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, ndërsa folësit është theksuar se nuk do të jenë partiakë.
“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi përfaqësuesi i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli.



