
Shkruan: Dren Dushi
Që nga shkurti i vitit 2025, Kosova është në një gjendje politike jo stabile. Që nga zgjedhjet e shkurtit, kemi mos-pranim të rezultatit të zgjedhjeve nga përgjithësisht spektri politik, pra një paknaqësi me vullnetin qytetar. Kulminacioni i kësaj janë zgjedhjet e 28 nëntorit të vitit të kaluar, të cilat prodhuan një tjetër situatë ku forcat politike nuk pajtohen me rezultatin e zgjedhjeve, e nuk arrijnë as të pajtohen për ta bërë funksionale institucionalisht Kosovën.
Vetëvendosje gjeneron forcë politike të mjaftueshme të zgjedhë Qeverinë, por 80 vota janë cak shumë i lartë që kanë vendosur ata që hartuan Kushtetutën e Kosovës. Pse e bënë këtë?
Nga këndvështrimi perëndimorë, prej nga edhe buron shteti i Kosovës meqë ata bombarduan Serbinë 78 ditë dhe i imponuan tërheqjen e forcave ushtarake (serbe) më të fuqishme në Ballkan (nëse se llogarisim Turqinë), ne jemi shoqëri post-patriarkale, por edhe post-komuniste. Nga viti 1945, kur pushtuesit gjerman largohen dhe Kosova ri-pushtohet nga forcat serbe, shoqëria kosovare ka jetuar në një sistem komunist jugosllav, duke e bërë një shoqëri që mikson komunizmin jugollav me patriarkalizmin otoman lindor. Kjo do të thotë se tendencat që kjo shoqëri të prodhoj sisteme centraliste, lideriste, e me mundësi autoritariste kanë shqetësuar perëndimorët të cilët kanë hartuar Kushtetutën tonë, të tillë që, i mundëson grupeve të vogla të imponojnë vullnetet e tyre, qoftë në Parlament, qoftë në ndryshime kushtetuese, qoftë në pozita nënkryetarësh, qoftë në ekzekutiv, polici, ushtri etj. Na pëlqeu apo jo, Kosova është sistem që diskriminon pozitivisht të dobëtit, të vegjlit, dhe ka vetëm një rast është kur kjo u frenua; pragu elektoral prej 5%, meqë kjo pastaj, do krijonte akoma më shumë faktorizim të “shumë të vegjëlve”.
Por ne kemi filluar një tranzicion politik në vitin 2021. Mund të themi se Kosova ka tri etapa politike me ndikim pas çlirimit; etapa e parë është ajo e kaosit të tranzicionit, luftës për pushtet, vrasjeve politike, dobësimit të pushtetit të Presidentit Historik Rugova, etapa e dytë është pas vdekjes së Presidentit Rugova, konkretisht subordinimi i LDK-së te PDK që shkakton etapën e tretë; fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të LVV-së, meqë populli i Kosovës në shumicë nuk miraton PDK-në (meqë kjo e fundit e ka bërë punën të mos e gëzoj këtë miratim).
Situata e tanishme në Kosovë, nuk është fushatë normale politike, shpalosje programesh, targetim problemesh, është fushatë për “gjetjen e fajtorëve” për bllokadën/krizën politike.
Tërë fushata politike si rrjedhojë, nuk është e koncentruar në çështjet kryesore si probleme të Kosovës, duke nisur nga energjia ku vendit i mungon gjatë dimrit shpesh herë pothuajse gjysma e megavatëve, arsimi, që pothuajse është devalvuar në një koncept irrelevant për këtë shoqëri, inflacioni e ekonomia që i ka shpallur disfatë importit, duke çuar jashtë paratë e pakta të vendit të parafundit më të varfër në Evropë. Këto çështje përmenden fare shkarazi në diskursin politik të shoqërisë që arsimin e bullizon/injoron, teksa, dominon narracioni që bazë ka fajësimin “strategjik” të kundërshtarit politik, bullizimin, ofendimin, gallatën, etiketimin e tjera si këto.
Por edhe kjo fushatë politke e pa nevojshme, siç ishin të pa-nevojshme zgjedhjet e jashtëzakonshme të kësaj nomenklature politike përgjithësisht po aq të jashtëzakonshme, mbaron të dielën e 7 qershorit, kur ata qytetarë që akoma nuk janë lodhur nga ky standard politik, do dalin në zgjedhje për “të gjetur fajtorin”.
Kosova pas 7 qershorit, mund të ndryshoj politikisht në një dozë të cilën është e vështirë ta parashikojmë, meqë kanë ndodhur disa ndryshime, ndikimin e të cilave e kuptojmë tek pas, por një gjë është e sigurtë; asnjë forcë politike nuk do të ketë 80 vota të vetat, për të kaluar në një gjendje normale politike, nëse nuk heqet dorë nga qasja e tanishme, të paktën nga njëra palë.
Palët janë të qarta, Vetëvendosje kërkon President konsensual, teksa si kundërpërgjigjie edhe opozita ka filluar të kërkoj Kryeministër konsensual, pra forca politike e pozitës nuk është e tillë që të garantoj veten, teksa as e opozitës nuk është e tillë që të ndryshoj gjendje, përpos të mos-pranoj mundësimin e dominancës së fituesit të zgjedhjeve.
Kjo do të thotë se, Kosova pas 7 qershorit mund të jetë me shumë gjasa po si tani, pra në proces tjetër zgjedhor, me po këtë stad të fushatës, pra me zgjedhje tjera “kush ka fajet për bllokadë”, dhe me një rezultat tjetër që pa dyshim, nuk i mundëson asnjërës palë të ketë 80 vota, paradoksale sigurisht.
Pra nëse Kosova nuk ka ndonjë “made in Kosova” si formë malli për ta eksportuar e ngushtuar sado pak hendekun eksport/import, ajo ka “made in Kosova” tashmë krizën politike, humbjen e milionave eurove edhe të ndihmave nga perëndimi, por edhe devalvimin nga inflacioni të atyre që po i merr me shumë vonesa si pasojë e shkaktimit të zgjedhjeve me idenë “kush i ka fajet”, apo siç do të thoshte i ndjeri Adem Demaçi, “m’tha e t’thash”.
Mundësia e reflektimit
Nëse jemi në këtë gjendje, pyetja që shtrohet është si duhet të dalim? Sigurisht që jo duke shpallur njëri-tjetrin tradhëtar e vazhduar këtë nivel diskursi apo konceptuar politikën vetëm si konflikt. A mund të lexohet ndryshe rezultati i zgjedhjeve?
Nëse posti i kryetarit të Kuvendit tashmë është standardizuar nga interpretimet e Kushtetueses, kjo do të thotë se Kryetari i Kuvendit do të zgjidhet (të paktën pas një procesi të lodhshëm) nga Vetëvendosje me partnerët e saj të vegjël. Por në Kosovë, pushtetin de-facto më të madh e ka Kryeministri, anipse Republika është Parlamentare, kjo do të thotë se, mbetet vetëm një pozitë që mund të balancojë politikën e Kosovës, dhe që mund të mësyhet nga opozita, posti i Presidentit, ndonëse më herët, fituesit e kanë ofruar në Kosovë edhe postin e Kryeministrit për të vazhduar me stabilitet institucional.
A do të jetë i gatshëm Kryeministri Kurti të ofroj postin e Presidentit te ndonjë parti opozitare, apo do ta çoj vendin përsëri në zgjedhje dikur në mes të verës, kur do të ketë prezencë akoma më të madhe të diasporës, mbetet të shihet. Ajo që është e qartë, ai po jep më shumë sinjale për këtë të dytën duke insistuar në President jo-partiak, dhe kjo do të thotë se këto zgjedhje janë vetëm kalimtare për zgjedhjet e fund gushtit, meqë opozita nuk do pranoj t’ia mundësoj Kurtit qeverisjen pa marrë diçka që ata i bën me pushtet që sfidon Kurtin.



