
Me thirrjen “Femicidi është urgjencë kombëtare”, sot në Prishtinë duke filluar nga ora 12:00 do të mbahet një protestë kundër vrasjes së grave.
Protesta me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, është thirrur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) dhe nis në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Përmes kësaj proteste, RRGK-ja kërkon ndryshimin e Kodit Penal dhe përcaktimin e femicidit si vepër penale të veçantë, krijimin e mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe sigurimin e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.
Organizata ka theksuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënimet, përndjekja, kontrolli dhe forma të tjera të dhunës, duke kërkuar që institucionet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë.
Ndër kërkesat e tjera janë zbatimi i plotë i legjislacionit, koordinimi më i mirë ndërinstitucional, vlerësimi i rrezikut dhe llogaridhënia e institucioneve përgjegjëse.
Sipas RRGK-së, përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet të bjerë mbi gratë që kërkojnë ndihmë, por mbi institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.
Organizata ka theksuar se deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar ndryshime konkrete ligjore dhe institucionale.
Protesta organizohet më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës të martën ka folur për protestën në emisionin “tre8tre” në KTV duke thënë se institucionet nuk duhet të jenë pjesë e protestës.
Sipas saj ata duhet të qëndrojnë në vendet e tyre të punës dhe t’i kryejnë detyrat e të mos shkaktojnë arsye për protesta.
“Ata duhet të zbatojnë ligjin, detyrat që paguhen nga taksat tona dhe jo nga papunësia e tyre të kemi nevojë për protestë dhe të vajtojmë trupat e grave të vrara për shkak të mosefikasitetit të tyre”, ka thënë ajo./KOHA



