
Gani Geci ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Albulena Haxhiut, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Geci ka thënë se dyshimet e tij bazohen në aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese dhe në veprimet apo mosveprimet gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Geci.
Ai ka kërkuar që Prokuroria Speciale të hetojë rastin dhe të përcaktojë nëse ekziston përgjegjësi penale.
Sipas Gecit, institucionet e drejtësisë duhet të vlerësojnë nëse gjatë këtij procesi janë konsumuar elemente të ndonjë vepre penale.
“Në një shtet demokratik dhe juridik, askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin”, ka deklaruar Geci.
Geci deri më tani ka paralajmëruar kallëzimin penal, prandaj në titull është më e saktë të mos thuhet se ai tashmë e ka dorëzuar atë.
Postimi i tij i plotë:
P A R A L A J M R I M
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Duke e ditur se edhe gjatë luftës jam munduar të jem mbrojtës i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, dhe për këtë arsye kam pasur ndjekje të vazhdueshme nga elementë kriminalë që thirreshin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e respektonin Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mu për këtë arsye jan shkruar edhe kumunikata te rreme kunder meje dhe kam qenë cak i disa atentateve, ndërsa pas luftës per arsye te njejta në një atentat, me daten 19. 10. 2001 më janë vrarë dy shokë dhe unë jam plagosur.
Gjithashtu, duke qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të datës 17 shkurt 2008, dhe miratues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, i paralajmëroj shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës se do të bëj kallëzim penal kundër tyre për veprime ose mosveprime që mund të përbëjnë shkelje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Duke u bazuar në deklaratën publike të ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, se kushdo që pretendon se po shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës me mospropozimin e emrit të Kryetarit të Kuvendit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, le ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese.
Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale.
Prandaj, po i paralajmëroj se do të paraqes një kallëzim penal ndaj këtyre personave si përgjegjësit kryesorë, duke kërkuar nga organet kompetente të drejtësisë që të hetojnë nëse veprimet ose mosveprimet e tyre përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në një shtet demokratik dhe juridik, askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin, prandaj vlerësimi përfundimtar i përgjegjësisë u takon vetëm Prokurorisë dhe gjykatave kompetente
PROKURORISË SPECIALE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Lënda: Kallëzim penal për dyshimin e cenimit të rendit kushtetues, moszbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar
KALLËZUESI:
Gani Geci
KUNDËR:
- Albin Kurti, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës;
- Albulena Haxhiu, në cilësinë e personit që ka ushtruar funksione publike në procesin e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
tani deputete e betuar e kuvendit te Republikes se Kosovës - Personave të tjerë përgjegjës që mund të identifikohen gjatë procedurës hetimore.
ARSYETIM
Më 7 qershor 2026 janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa më 8 korrik 2026 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ka lindur detyrimi kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të tij, si hap i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, përmes aktgjykimit KO124/25 dhe vendimeve pasuese, ka përcaktuar qartë detyrimet kushtetuese lidhur me përfundimin e seancës konstituive, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të saj, të cilat sipas Kushtetutës janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe personat fizikë e juridikë.
Megjithatë, edhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe pse kishte aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është konstituuar brenda afateve të përcaktuara nga Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Nga këto rrethana lind dyshimi i arsyeshëm se personat e kallëzuar, përmes veprimeve ose mosveprimeve të tyre, mund të kenë kontribuar në:
● Moszbatimin e vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese;
● Pengimin e funksionimit normal të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
● Vonesën e krijimit të institucioneve kushtetuese të dala nga zgjedhjet;
● Cenimin e sigurisë juridike dhe funksionimit kushtetues të shtetit;
● Shkeljen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që burojnë nga pozitat e tyre publike.
BAZA LIGJORE E DYSHIMIT
Ky kallëzim penal mbështetet në dyshimin se gjatë veprimeve ose mosveprimeve të përshkruara mund të jenë konsumuar elemente të veprave penale të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, përfshirë:
- Nenin 114 të Kodit Penal – Sulmi ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nëse gjatë hetimeve vërtetohet ekzistimi i të gjitha elementeve ligjore të kësaj vepre penale.
- Nenin 414 të Kodit Penal – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nëse vërtetohet se personat zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore ose kushtetuese me qëllim të përfitimit personal politik, institucional ose të ndonjë dobie tjetër për vete ose për persona të tjerë.
- Çdo vepër tjetër penale që Prokuroria mund të konstatojë gjatë hetimeve, bazuar në provat që do të sigurohen gjatë procedurës.
KËRKESA
I propozoj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që:
- Të regjistrojë këtë kallëzim penal.
- Të sigurojë aktgjykimin KO124/25 dhe vendimet pasuese të Gjykatës Kushtetuese.
- Të sigurojë procesverbalet, transkriptet dhe incizimet e seancave konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
- Të intervistojë personat e përmendur në këtë kallëzim dhe çdo person tjetër që ka pasur përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore në procesin e konstituimit të Kuvendit.
- Të vlerësojë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale të parapara në nenin 114, nenin 414 ose në dispozita të tjera të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
- Në rast se konstatohen elemente të veprës penale, të ndërmerren procedurat ligjore ndaj personave përgjegjës.
Data do të shënohet në ditën e dorëzimit të këtij kallëzimi penal në Prokurori.
KALLËZUESI
Gani Geci



