
Ish-kryeministri kritikon vendimin e presidentes për mandatimin e Glauk Konjufcës, duke thënë se nuk ka shumicë parlamentare pa përfshirjen e serbëve.
Prishtinë – Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kundërshtuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për mandatimin e Glauk Konjufcës si kandidat për kryeministër, duke e cilësuar atë si të pabazuar në realitetin politik të Kuvendit.
Sipas Hotit, Osmani e ka arsyetuar vendimin e saj mbi “gjasat” për formimin e qeverisë, por takimet e zhvilluara me kryetarët e partive politike dëshmojnë të kundërtën.
“Presidentja e shtetit vendimin për mandatarin e ka bazuar në ‘gjasa’. Por nga takimet me kryetarët e partive politike e ka marrë përgjigjen se nuk ka ‘gjasa’ që deputetët e atyre partive të votojnë asnjë mandatar tjetër. Kështu që, gjasat mund të ekzistojnë vetëm nëse llogariten votat e deputetëve të Listës Serbe. Gjasa të tjera nuk ka,” ka deklaruar Hoti.
Deklarata e tij vjen pas vendimit të presidentes Osmani për t’ia dhënë mandatin Glauk Konjufcës, pas propozimit nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky hap ka ngjallur reagime të ndryshme në skenën politike, me partitë opozitare që vazhdojnë të theksojnë se në Kuvend nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re.



