
Opinionisti Ilir Deda thotë se periudha e koalicioneve të imponuara nga faktori ndërkombëtar në Kosovë ka përfunduar dhe se kultura politike aktuale nuk lejon më bashkëpunime të tilla mes partive që ofendojnë njëra-tjetrën publikisht.
Opinionisti Ilir Deda ka deklaruar se koalicionet politike të pasluftës në Kosovë, të cilat u arritën deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, sot do të ishin “fantashkencë”.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Deda tha se shumica e atyre koalicioneve ishin produkt i trysnisë së faktorit ndërkombëtar, ndërsa në realitetin e sotëm politik në Kosovë, një gjë e tillë është e pamundur.
“Shumica e koalicioneve qeverisëse në Kosovë janë ndërtuar me ndihmesë të Perëndimit, kjo është fakt. Bile koalicioni i parë është bërë pas shumë trysnie ndaj liderëve politikë të asaj kohe, të cilët nuk donin të bashkëpunonin mes veti, sepse ishte një situatë krejt tjetër. Sot, kur e mendon si është dizajnuar ajo qeveri e parë, duket fantashkencë. Ne nuk jemi më në rrethanat e viteve 2001–2004 apo 2008. Fakt është që koalicionet janë ndërtuar me ndërhyrje, sugjerime ose këshillime të shteteve perëndimore,” tha Deda, duke cituar KlanKosova.tv.
Duke folur për situatën e sotme politike, Deda theksoi se ka përfunduar koha kur partitë ofendonin njëra-tjetrën dhe më pas bënin koalicione, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.
“25 vite pas luftës duhet të ekzistojë një lloj kulture politike për komunikim dhe bashkëpunim mes partive. Tash kur po thotë Albini këta çka i kanë thënë njëri-tjetrit, më falni, por në kohën e Isa Mustafës i kanë shku në shtëpi për t’ia kallë shtëpinë. Isa Mustafa ua ka falë dhe ka bërë koalicion me Vetëvendosjen. S’mundesh me u sillë si fëmijë i llastuar — thu çka të duash e ofendon, e pastaj kërkon të pajtohesh. Ajo kohë ka përfunduar, sepse ka qenë një kulturë e keqe politike,” u shpreh Deda.
Sipas tij, skena politike e Kosovës është tashmë në një fazë ku bashkëpunimi kërkon pjekuri, respekt dhe qëndrueshmëri, jo ndërhyrje të jashtme apo marrëveshje të momentit.



