
Bedri Hamza, kryetar i ri i PDK-së, ka dhënë një intervistë në T7, ku ka folur për shumë tema. Natyrisht, një nga temat ishte edhe përçarja e PDK-së në Drenicë, e cila mund të reduktohet në një përplasje mes Sami Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit. Duket se shuarja e këtij zjarrit përçarës do të jetë puna e parë e Bedri Hamzës si kryetar i PDK-së. Çka tha mbrëmë për këtë çështje Bedri Hamza?
Në Konventën e PDK-së nuk ishte Ramiz Lladrovci. Megjithatë, Lladrovci lëshoi një deklaratë me shkronja në faqen e tij në Facebook, ku foli për inatin që e ka prishur kalin, një metafore odash, që shpesh ka ngarkesa kuptimore të urtësisë popullore.
“Inati e prish kalin! Një gjë duhet ta kenë të qartë ata që merren me sportin e rëndë: politika ka moral, parime dhe konsekuenca. Mat mirë, prej mirë, qep mirë dhe kostumi del i mirë!” – shkroi Lladrovci, transmeton Gazeta Politika.
Në fakt, emri i Lladrovcit u përmend pak para nisjes së Konventës së PDK-së. Për rikthimin e mundshëm të Lladrovcit në PDK u pyet Sami Lushtaku, kundërshtari i tij politik nga Skënderaji i Drenicës. Natyrisht, Lushtaku, që është një nga figurat e fuqishme të PDK-së, ishte kategorikisht kundër rikthimit të Lladrovcit.
“Jam gjithmonë kundëe që Lladrovci të kthehet në PDK” – u shpreh Lushtaku.
“Selam” Lushtakut?
Për këtë përplasje u pyet edhe Hamza gjatë intervistës në T7. Ai u pyet nëse mundet të ketë në parti edhe Lushtakun, edhe Lladrovcin, marrë parasysh rivalitetin politik mes këtyre dy figurave nga Drenica.
Hamza u deklarua i interesuar që të tejkalojë këtë problem. Madje, premtoi edhe punë të shumtë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Hamza foli për Lushtakun. Ishte një mesazh ledhatues, një tentim për ta marrë me të mirë Lushtakun, të cilën tha se e njeh shumë gjatë.
Hamza tha se “zotëri Lushtaku…gjithmonë reshtohet në linjën e interesit të përgjithshëm”. Në deklaratën e tij, Hamza ishte goxha optimist, duke u shprehur se “ka hapësirë me bisedu”.
“Gjithsesi jam i interesuar me tejkalu dhe do të punojë shumë. Edhe zotëri Lushtaku, jam i sigurt që gjithmonë, e njoh gjatë, shumë gjatë e njoh. Kur është interesi i përgjithshëm, gjithmonë rreshtohet në linjën e interesit të përgjithshëm, këtë rast në linjën e subjektit politik. Dhe ka hapësirë me bisedu. Interesi i përgjithshëm është që PDK-ja me marrë maksimumin e votave gjithandej Kosovës dhe normalisht në bastionin e saj më të fuqishëm dhe bazenin e saj, në Drenicë” – tha Hamza në T7, transmeton Gazeta Politika.
Nuk dihet nëse Hamza ka ndonjë plan konkret për pajtimin politik mes Lushtakut e Lladrovcit. Sidoqoftë, deri më tani Lushtaku e Lladrovci kanë qëndruar në istikamet e tyre politike, duke mos kursyer shpesh edhe deklaratat, cilësimet e metaforat therrëse ndaj njëri-tjetrit. Megjithatë, në ditët në vazhdim, si kryetar i PDK-së, Hamza do ta shoh në terren sa reale është “hapësira me bisedu” mes Lushtakut e Lladrovcit.
Gazeta Politika do të vazhdojë të interesohet për këtë zhvillim politik, që është mjaft interesant.



