
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, reagoi pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke thënë se rritja e LDK-së nuk mund të mohohet dhe se partia ka fituar përmes një fushate të qetë dhe të ndershme.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke iu përgjigjur kritikëve që, sipas saj, po përpiqen të minimizojnë fitoren e partisë.
“Kur shtuam 70 mijë vota në nivel nacional, na thanë: ‘Po prap jeni në vend të tretë’. Tani, kur jemi të parët, me Kryeqytetin në qendër të këtij besim, po thonë: s’ka vlerë vendi i parë, por krahasimi me 2021,” shkroi Kica-Xhelili.
Ajo tha se kundërshtarët politikë nuk e kanë hallin te matja e fitoreve, por kërkojnë pretekst për të mos e njohur rritjen e LDK-së.
“Në një territor plotësisht të pabarabartë, ata kishin gjithë shtetin, e ne zemrat e njerëzve. Ata i ruanin nga 7 truproje, neve dashnia e aktivistëve. Ata kërcënonin natën, ne lobonim ditën,” shtoi ajo.
Kica-Xhelili e përshkroi fushatën e LDK-së si “të qetë, të ndershme dhe të njerëzve të zakonshëm”, duke theksuar se pikërisht kjo ishte arsyeja e suksesit të saj.
“E kur populli vendos të besojë në diçka që s’e sheh askund tjetër, ajo s’është veç politikë – është kthesë,” theksoi ajo.
Në fund, nënkryetarja e LDK-së u dërgoi një mesazh kundërshtarëve.
“E derisa disa që s’e pranojnë kurrsesi triumfin e LDK-së të qetësohen, i bëjmë thirrje nga Prishtina dhe 6 komuna tjera: shërojeni këtë mllef e vner se s’ju bën nder! Ne na gjeni këtu.”



