
Kosova ka shënuar sot Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Krye të Detyrës, me homazhe dhe vizita në nderim të policëve që humbën jetën në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.
Kjo ditë lidhet me përvjetorin e rënies së policit Enver Zymeri, i cili u vra më 26 korrik 2011 gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, pranë pikës kufitare të Bërnjakut. Gjatë ceremonive u përkujtua edhe Heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe dhe vendosje kurorash me lule pranë Lapidarit të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Krye të Detyrës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Homazhe bënë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Delegacioni institucional më pas bëri homazhe pranë varrit të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, ku vendosi kurora me lule në shenjë nderimi dhe respekti. Gjithashtu, u zhvilluan vizita në familjet e Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, ku u shpreh mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e tyre në mbrojtje të Republikës së Kosovës.
Homazhe u mbajtën edhe pranë lapidarit në vendin e rënies së Enver Zymerit në Varagë të Zubin Potokut, ku u përkujtua heroizmi dhe përkushtimi i tij në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Fehmi Hoti, morën pjesë edhe në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Heroit Enver Zymeri në Kampin e Njësive Speciale në Mitrovicë.
Sipas Policisë së Kosovës, shtatorja përfaqëson një simbol të përhershëm të guximit, sakrificës dhe përkushtimit të zyrtarëve policorë në mbrojtje të Republikës së Kosovës.



