Kurti: Nga 4 miliardë euro të buxhetit për 2026, përfshihet paga e 13-të për sektorin publik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar buxhetin për vitin 2026, duke paralajmëruar risi të shumta për sektorin publik, privat dhe për pensionistët.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “me shumë risi” buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën prej 4 miliardë eurosh. Sipas tij, rreth 1 miliard euro, apo një e katërta e buxhetit, do të destinohen për investime kapitale.

“Edhe ky buxhet do të ketë shumë risi. Një prej tyre është dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik. Po ashtu, do të zbatohet rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, në vend të sistemit të mëparshëm prej 0.25% për 15 vitet e para,” deklaroi Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.

Ai theksoi se buxheti përfshin gjithashtu rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë dhe lehona, pagesa për të rritur e gra të angazhuara me programin “Superpunë”, si dhe përfundimin e reformës së asistencës sociale.

“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barna esenciale, por edhe për kulturën dhe sportin,” shtoi ai.

Kurti njoftoi gjithashtu për zhvillime pozitive në sektorin privat, përfshirë rritjen e pagës minimale, që pritet të ndikojë te 150 mijë të punësuar, si dhe përmirësime për pensionistët, me rritjen e pensionit nga 120 në 150 euro.

“Kam premtuar që do të ketë lajm të mirë edhe për nënat. Nga muaji nëntor, shtesat për fëmijë do të rriten me 50 për qind,” tha Kurti, duke shtuar se pas konstituimit të Kuvendit, buxheti do t’u dërgohet edhe komunave, përfshirë Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun.

Back to top button