
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia qëndron pranë njerëzve të saj edhe në momente të vështira, duke e rikonfirmuar Xhafer Gashin në të gjitha pozitat brenda partisë pas rezultatit zgjedhor në Obiliq.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit, pas rezultatit zgjedhor në komunën e Obiliqit.
Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku tha se humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, dhe se qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme.
“Katër vite më parë LDK në Obiliq ishte një parti me vetëm 10%. Gjatë rrugës u bashkuam me Xhafer Gashin, por nuk arritëm bashkë ta bashkojmë shumicën e Obiliqit me ne. Gjithsesi, sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka,” shkroi Abdixhiku.
Ai e përshkroi Gashin si një njeri të fjalës, të punës dhe të përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij. “Xhaferi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive… Ai i ka dhënë Obiliqit drejtim, dinjitet dhe stabilitet, në një komunë që ka parë shumë sfida,” shtoi ai.
Abdixhiku njoftoi se e ka rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degën e Obiliqit, ashtu edhe në Kryesi dhe Këshillin e Përgjithshëm të partisë.
“LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet,” theksoi ai.
Në fund, kreu i LDK-së dërgoi një mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e partisë:
“Ne nuk matemi vetëm me një garë, por me qëndrueshmëri. LDK qëndron. Dhe bashkë me të, qëndron edhe Xhafer Gashi – si simbol i qëndrueshmërisë, i besnikërisë dhe i misionit tonë të përbashkët.”



