
Kreu i LDK-së vlerëson kontributin historik të Bajraktarit për çështjen e Kosovës dhe rolin e tij në fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-të.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë veprimtarin e njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, të cilin e ka cilësuar si një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e vazhdueshëm të Bajraktarit në afirmimin e çështjes së Kosovës, duke theksuar rolin e tij në proceset e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Ai theksoi se Bajraktari ka qenë figura kyçe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në përfaqësimin e të drejtave të popullit të saj para institucioneve amerikane, sidomos në periudhat më të ndjeshme historike.
Në deklarimin e tij, Abdixhiku kujtoi se Bajraktari ka qenë mbështetës i palëkundur i Kosovës që nga vitet e hershme, duke bashkëpunuar ngushtë me Presidentin Ibrahim Rugova dhe duke artikuluar kauzën e Kosovës me profesionalizëm e besnikëri para politikëbërësve amerikanë, në një kohë kur vendi kishte nevojë të domosdoshme për aleatë.
“E falënderoj Harry Bajraktarin për gjithçka që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën. Ai mbetet mik i madh, zë i fuqishëm dhe mbështetës i paepur i vendit tonë,” u shpreh Abdixhiku.




