Lumir Abdixhiku: Shfaqja e “mandatarëve pa shumicë” duhet të marrë fund

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër përpjekjet për formimin e qeverisë pa shumicë parlamentare, duke e quajtur procesin “lojë pa dinjitet politik” dhe duke kërkuar nga Presidentja Osmani që të shpallë zgjedhjet e reja.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ku Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të formojë sërish qeverinë me Albin Kurtin si mandatar. Në një reagim publik, Abdixhiku ka kërkuar fundin e asaj që e quajti “shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.

“Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh,” ka shkruar ai, duke u bërë thirrje forcave politike që të jenë të sinqerta me qytetarët dhe të pranojnë faktin se aktualisht nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e qeverisë.

Abdixhiku theksoi se të gjitha partitë shqiptare tashmë kanë deponuar qëndrimin e tyre politik në Presidencë dhe se “matematikisht dhe politikisht nuk ka mundësi për shumicë”. Ai pyeti pse po vazhdon, siç e quajti, “zelli për lojëra pa dinjitet minimal politik”, duke kritikuar vonesat në formimin e institucioneve.

“A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent? A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë?” shkroi ai, duke paralajmëruar se “këto zvarritje janë vetëm thellime të krizave” për të cilat, sipas tij, do të ketë përgjegjësi politike.

Në fund të reagimit, Abdixhiku u shpreh se beson që Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare dhe do të konstatojë publikisht se në këtë përbërje të Kuvendit “nuk ka shumicë parlamentare”, pavarësisht mbledhjeve apo vendimeve të partive.

Back to top button