Memli Krasniqi: Sekserët e Kurtit tentuan të blejnë deputetë të PDK-së për qeverinë

Kreu i PDK-së pretendon se biznese të pasuruara gjatë qeverisjes aktuale kanë tentuar të ndikojnë votimin e 26 tetorit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie kanë qenë shënjestër e tentativave për ndikim nga persona të afërt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në prag të seancës për votimin e qeverisë më 26 tetor.

Në një intervistë për Klan Kosovën, ai tha se këto tentativa kanë ardhur nga “sekserë” dhe biznese që, sipas tij, janë pasuruar përmes tenderëve multimilionësh gjatë qeverisjes aktuale.

“Ka pasur tendenca, ka pasur sekserë, biznese kryesisht të suksesshme, që i ka nisur në adresa të deputetëve të caktuar, në dy tre raste. Qoftë në vija personale ose të bizneseve, që janë pasuruar me tenderë multimilionësh gjatë qeverisjes së zotit Kurti”, tha Krasniqi.

Ai u shpreh i bindur se kreu i VV-së do të dështonte në përpjekjen për të siguruar shumicën parlamentare dhe theksoi se në asnjë moment nuk ka pasur frikë për tërheqje të deputetëve nga linja partiake.

“S’kam pasur ndonjë dyshim a hamendësim që kushdo prej deputetëve të PDK-së mund të votonte jashtë vijës partiake. Nuk doli fatmirësisht një ‘Adelia Grainca tjetër’”, deklaroi ai, duke iu referuar një rasti të mëparshëm të devijimit të votës.

PDK-ja, sipas Krasniqit, mbetet e vendosur në pozicionin e saj opozitar dhe nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti.

Back to top button