Motra e Presidentes, Blinera Osmani, reagon: Akuzat janë shpifje dhe sulm politik

Osmani paralajmëron veprime ligjore pas publikimit të një videoje që, sipas saj, synon denigrimin profesional dhe familjar.

Blinera Osmani, motra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas një video-reportazh të publikuar nga portali “Nacionale”, të cilën ajo e vlerëson si shpifëse, tendencioze dhe keqinterpretim të qëllimshëm të procesit të saj të licencimit si avokate.

Në reagimin e saj publik, Osmani ka thënë se pretendimet se ajo ka marrë licencën pa i plotësuar kriteret ligjore janë “absolutisht të rreme dhe të motivuara politikisht”.

Licencimi im si avokate është bërë në përputhje të plotë me Ligjin për Avokatinë dhe rregulloret e Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila ka konfirmuar zyrtarisht ligjshmërinë e procesit dhe plotësimin e të gjitha kritereve,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se çdo insinuatë ndryshe është përpjekje për të dëmtuar reputacionin e saj.

Osmani e cilëson video-materialin si pjesë të një “fushate të koordinuar shpifjesh me prapavijë të qartë politike”, që sipas saj, nxit komente fyese e denigruese dhe kërcënime ndaj saj dhe familjes së presidentes.

Ajo paralajmëroi se do të ndërmarrë masa ligjore kundër shpifjeve dhe fyerjeve që, siç thotë, synojnë cenimin e integritetit të saj personal dhe profesional.

Ka ardhur koha që epoka e shpifjeve dhe gazetarisë së porositur të marrë fund në Kosovë. Deri atëherë, unë do të vazhdoj ta ushtroj profesionin tim me fisnikëri dhe dinjitet moral e njerëzor”, përmbyll reagimin e saj Blinera Osmani.

Gazeta Nacionale ka publikuar një material ku pretendohet se Blinera Osmani është licencuar si avokate pa i përmbushur kushtet ligjore për licencim. Portali thotë se, sipas dokumenteve të siguruara nga Agjencia e Punësimit, Osmanit i është refuzuar “Vërtetimi i Papunësisë” me arsyetimin se ajo figuronte si pronare ose përfaqësuese e autorizuar në disa biznese aktive dhe kishte përfituar të ardhura nga një prej tyre

Back to top button