
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se PDK-ja nuk ndihet e tradhtuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentes.
Ajo ka vlerësuar se partia e saj nuk ishte pjesë e lojërave politike, por veproi mbi parime. Në një postim në Facebook, Musliu-Shoshi ka thënë se PDK-ja edhe kësaj radhe i ka dhënë Kosovës institucione.
“PDK nuk u mashtrua e as nuk u tradhtua, sepse nuk ka qenë pjesë e lojërave politike, por pjesë e parimeve! Edhe kësaj radhe PDK i ka dhënë Kosovës institucione, përgjegjësi shtetërore dhe, mbi të gjitha, përkushtim për mbrojtjen e sakrificës dhe të luftës sonë çlirimtare. Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja! Nuk mund të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë individualisht. Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet”, ka shkruar ajo.
Musliu-Shoshi ka shtuar se Kosova nuk është lojë politike.
“Ne, si gjithmonë, qëndrojmë me përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha me përgjegjësi ndaj këtij vendi. Ndaj kësaj toke ku kemi rrënjët, ku prehen stërgjyshërit tanë dhe ku po rriten fëmijët tanë. Sepse për ne, Kosova nuk është lojë politike. Është atdheu ynë, përgjegjësia jonë dhe amaneti që nuk e tradhtojmë!”, ka shkruar ajo.



