
Vendimi i presidentes vjen pas takimeve me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së.
Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të jetë kandidat për kryeministër.
Vendimi i presidentes u mor pas serisë së takimeve që ajo zhvilloi gjatë ditës së sotme me përfaqësuesit e partive kryesore të ish-opozitës. Osmani takoi fillimisht kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e më pas kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas këtyre konsultimeve, presidentja vendosi t’i japë mandatin për formimin e qeverisë Glauk Konjufcës, i cili më herët ishte propozuar nga strukturat drejtuese të Vetëvendosjes.
Ky vendim shënon hapin e radhës në procesin e formimit të qeverisë pas zhvillimeve të fundit politike në vend.



