
Incidentet e njëpasnjëshme në rajonin e Baltikut shtojnë shqetësimet për sulme hibride ndaj infrastrukturës kritike.
Pas raportimeve për dronë të paidentifikuar mbi bazën detare në Karlskrona të Suedisë, raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Danimarkë dhe Norvegji.
Forcat e Armatosura të Danimarkës konfirmuan më 27 shtator se disa dronë u panë gjatë natës pranë instalimeve të mbrojtjes në disa lokacione, duke detyruar dislokimin e njësive ushtarake. Policia raportoi lëvizje pranë bazës ajrore Karup në perëndim të vendit, sipas agjencisë Ritzau.
Ndërkohë, autoritetet norvegjeze po hetojnë praninë e mundshme të dronëve pranë bazës ajrore Ørland, qendra kryesore e avionëve luftarakë F-35. Forcat e Armatosura të Norvegjisë thanë se rojet e bazës bënë disa vëzhgime të pazakonta mëngjesin e së shtunës.
Këto zhvillime vijnë pas një jave tensioni në Danimarkë, ku aeroporti i Kopenhagës dhe pesë aeroporte të tjera civile e ushtarake u mbyllën përkohësisht për shkak të pranisë së dronëve në hapësirën ajrore.
Qeveria daneze i ka cilësuar inkursionet si “sulme hibride”. Kryeministrja Mette Frederiksen i përshkroi ato si “sulmet më serioze ndaj infrastrukturës kritike daneze deri më tani”, ndërsa shqetësimi në rritje ka përfshirë të gjithë rajonin e Baltikut.



