
Katër shtetas serbë arrestohen për kalim të paligjshëm të kufirit dhe armëmbajtje pa leje.
Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar.
Sipas policisë, në bazë të të gjitha të dhënave operative dhe raportimeve nga njësite në terren, nuk është regjistruar asnjë incident i këtij lloji. Publikimi i informacioneve të pasakta mund të krijojë perceptime të rreme dhe të rrisë tensionet në zonat kufitare.
Megjithatë, gjatë patrullimeve të rregullta, njësite policore arrestuan katër persona të dyshuar, shtetas të Serbisë, për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje. Armët dhe municioni i konfiskuar u morën në administrim nga autoritetet, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje sipas procedurave ligjore.
Policia e Kosovës i bën thirrje mediave të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike.
Institucioni siguron qytetarët se situata në zonën kufitare është e qetë dhe nën kontroll, duke mbajtur përkushtim të plotë në garantimin e sigurisë dhe rendit publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.



