Syla e Pacolli hedhin poshtë audio-incizimet për punësimin e gruas së një delegati për të votuar kundër Abdixhikut: Janë montazhe

Zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla, dhe shefi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Egzon Pacolli, kanë mohuar pretendimet që dalin nga audio-incizimet e publikuara në emisionin “Debat Plus”, ku dëgjohen duke biseduar për punësimin e gruas së një delegati në këmbim të nënshkrimit kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

I ftuar në “Debat Plus”, Syla tha se nuk ka kompetenca për të punësuar njerëz dhe pretendoi se audio-incizimi është i fragmentuar dhe i manipuluar.

banner

“Kemi fol për biseda të ndryshme, biseda është e fragmentuar në forma të ndryshme. Po e shoh që LDK-ja dhe ekipa e Lumir Abdixhikut e kanë humbur arsyen… Ky audio-incizim është shantazh ndaj meje”, deklaroi Syla.

Ai shtoi se, pavarësisht publikimit të incizimit, mbetet kundër Abdixhikut.

Në anën tjetër, edhe Egzon Pacolli, i cili u lidh në emision përmes telefonit, mohoi se ka premtuar punësime, duke thënë se nuk ka kompetenca për një gjë të tillë.

“Nuk e kam në kompetencë askënd për me punësu… Ky incizim është i montuar vetëm për të na shantazhuar. Unë nuk jam person që punësoj njerëz aty”, tha Pacolli.

Ai pretendoi se audio-incizimi është përdorur për ta dëmtuar atë dhe Sylën pas qëndrimeve të tyre kundër Abdixhikut, ndërsa akuzoi grupin mbështetës të kryetarit të LDK-së për prapavijë politike në publikimin e materialit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.