
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale, ku u mor në pyetje lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi në procesin e shpronësimeve të planifikuara nga KEK-u në fshatin Shipitullë.
Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi i mohoi akuzat, duke thënë se rasti është “i përgatitur nga rivalët e tij politikë” dhe se nuk ka ushtruar asnjë ndikim në procesin e shpronësimeve.

“Është një temë e përgatitur moti prej rivalëve të mi politikë. Jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka nisur të merret me këtë çështje dhe ta hetojë deri në fund. Kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm”, deklaroi ai.
Thaçi pranoi se ka biseduar me banorët e Shipitullës dhe Hadres, por tha se këtë e ka bërë për të ngritur shqetësimet e tyre, duke theksuar se këto fshatra janë diskriminuar në procesin e shpronësimeve.
Ai hodhi akuza edhe ndaj medias Kallxo.com, duke pretenduar se është tentuar të shantazhohet para publikimit të audio-incizimit.
“Te prokurori kam treguar se për tre muaj më kanë telefonuar nga Kallxo.com. Vetë pronarja e Kallxo.com ka kërkuar takim që të mos publikohej videoja. Nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave dhe nuk kërcënohem. Tregoji Jeta Xharrës që nuk shantazhohem”, u shpreh Thaçi.
Rasti lidhet me një audio-incizim të publikuar më herët nga Kallxo.com, ku Thaçi dëgjohet duke thënë: “Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare”, deklaratë që ishte bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale.



