
Ish- presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zbulimit të varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e 23 intelektualëve të rrëmbyer nga Mitrovica gjatë luftës.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani akuzoi Serbinë se vazhdon të fshehë vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia ende fle mbi varreza masive”, ka shkruar ajo.
Sipas Osmanit, Serbia vazhdon të përsërisë krimet duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë, ndërsa mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mosnjohjes së fatit të më të dashurve të tyre.
Presidentja kujtoi se 23 intelektualët nga Mitrovica u rrëmbyen nga forcat serbe në prill të vitit 1999, ndërsa tha se zbulimi i varrezës masive është një kujtesë e dhimbshme për krimet e luftës.



