
VMRO-DPMNE prin në 53 komuna në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, koalicioni VLEN fiton në 9 komuna, LSDM në 8, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në 5; raundi i dytë pritet më 2 nëntor.
Partia VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj kanë dalë fitues në shumicën e komunave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut. Sipas rezultateve fillestare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), pas përpunimit të 99,94 për qind të votave, kandidatët e VMRO-DPMNE-së prijnë në 53 komuna të vendit.
Koalicioni VLEN kryeson në 9 komuna, ndërsa LSDM dhe koalicioni i saj kanë fituar më shumë vota në 8 komuna. Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) prin në 5 komuna, ndërsa Lëvizja ZNAM, Partia Demokratike e Turqve, Unioni i Romëve, si dhe grupet e votuesve të Mendi Qyrës dhe Azem Sadikut, kanë siguruar fitore secili në nga një komunë.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, VMRO-DPMNE kryeson në komunat: Aerodrom, Berovë, Manastir, Bosillevë, Brvenicë, Butel, Vallandovë, Vasilevë, Vevçan, Veles, Vinicë, Gazi Babë, Gjevgjeli, Gjorçe Petrov, Gradsko, Debarca, Dellçevë, Demir Kapi, Demir Hisar, Dojran, Zelenikovë, Zrnovcë, Ilinden, Jegunovcë, Kavadar, Karbinci, Karposh, Kisella Vodë, Kërçovë, Koçan, Konçe, Kratovë, Mavrovë dhe Rostushë (pa cenzus), Maqedonska Kamenicë, Maqedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Novaci, Novo Sellë, Ohër, Petrovë, Pehçevë, Prilep, Probishtip, Radovish, Rankovcë, Resnjë, Sveti Nikollë, Sopishtë, Staro Nagoriçane, Strumicë, Çeshinovë-Obleshevë dhe Shtip.
LSDM dhe koalicioni i saj fituan në komunat Bogdanci, Kriva Pallankë, Krivogashtan, Krushevë, Lozovë, Rosoman, Qendër dhe Çuçer-Sandevë.
VLEN fitoi në Haraçinë, Bogovinjë, Dibër, Dollnen, Zhelinë, Saraj, Tearcë, Tetovë dhe Çair.
AKI prin në Vrapçisht, Gostivar, Likovë, Plasnicë dhe Çashkë.
Kandidati i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, fitoi në Kumanovë; Kurto Dudush nga Unioni i Romëve në Shuto Orizare; ndërsa në Strugë dhe Studeniçan fituan kandidatët e pavarur Mendi Qura dhe Azem Sadiku.
Në Qendër Zhupë, fitoi kandidati i Partisë Demokratike të Turqve, Arian Ibrahim.
KSHZ njoftoi se raundi i parë do të përsëritet në Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë dhe në Vrapçisht, për shkak të mosarritjes së censuseve të nevojshme — daljes në votim të të paktën një të tretës së votuesve të regjistruar.
Zgjedhjet për kryetarë komunash zhvillohen sipas modelit mazhoritar, ndërsa ato për këshillat komunalë sipas modelit proporcional, në një raund të vetëm.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 2 nëntor.



