banner

Zgjedhjet, një nga shtyllat kryesore të demokracisë

Zgjedhjet janë një premisë mjaft e rëndësishme e funksionimit të demokracisë së një vendi, ngase
përmes tyre janë vetë qytetarët ata që vendosin se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në
institucionet shtetërore. Prandaj, zgjedhjet e lira dhe demokratike janë një parakusht të cilit një
vend duhet t’i përmbahet në mënyrë që të përmbushë një ndër kriteret bazë për t’u konsideruar si
shtet demokratik. Shumë studiues e kanë ndërlidhur konceptin e zgjedhjeve direkt me
demokracinë dhe i kanë konsideruar ato si parakusht të demokratizimit të një shteti. Autori Robert
Dahl konsideron se në një shtet demokratik qytetarët janë ata që me vullnetin e tyre të lirë
vendosin t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Kuptohet që demokracia e një shteti nuk mund të
përkufizohet apo përmblidhet vetëm duke u bazuar në zgjedhje—këtë e pohon edhe autori
Makarenko (2015) mirëpo ai thekson se zgjedhjet janë një element thelbësor për ta kuptuar
demokracinë.

Autor: Kosovar Doqi, politolog

banner

Pra, zgjedhjet, respektivisht e drejta për të votuar, janë një e drejtë elementare e çdo qytetari, i cili
pa frikë, pa presion dhe me vullnet të plotë e të lirë vendos (voton) për atë parti apo individ që
mendon se do t’i përfaqësojë më së miri interesat e tij në institucionet shtetërore.
Kosova këtë vit arriti të organizojë tri palë zgjedhje: ato nacionale më 9 shkurt dhe zgjedhjet lokale
më 12 tetor, si dhe balotazhin në nivel lokal në gjithsej 17 komuna. Po ashtu, do të organizojë
zgjedhje të parakohshme edhe në fund të vitit, më 28 dhjetor, ngase partia fituese nuk arriti ta bëjë
shumicën në Kuvend, e ndërlidhur me këtë as qeverinë. Në përgjithësi, duke mos i anashkaluar
disa defekte që i përcollën këto tri palë zgjedhje, mbarëvajtja e tyre ishte e mirë dhe demokratike.
Edhe rezultati u pranua nga partitë kryesore dhe kishte një “dakordim” të heshtur se zgjedhjet ishin
të lira, demokratike dhe si rrjedhojë të pranueshme nga të gjithë. Po e ritheksoj se në disa raste
kishte vend për dyshime të ndryshme, sidomos në ato lokale, përkatësisht në balotazh, mirëpo për
çdo dyshim janë institucionet e shtetit ato që vendosin deri në fund se çfarë ka ndodhur dhe cili do
të jetë verdikti final. Kur them institucionet, aludoj në institucionet e Kosovës, si ato administrative,
ashtu edhe ato gjyqësore.

Zgjedhjet para pavarësisë së Kosovës

Deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe bartjen e plotë të kompetencave tek institucionet
vendore kosovare, ishin misionet ndërkombëtare ato që organizuan pesë palë zgjedhje, si
nacionale ashtu edhe lokale. Pra, ishin UNMIK-u dhe OSBE-ja ato që i organizuan këto zgjedhje,
dhe kjo ishte një ndër detyrat e tyre kryesore- mbarëvajtja e zgjedhjeve në një vend me ndarje të
thellë etnike. Vlerësimi ndërkombëtar për organizimin e këtyre zgjedhjeve ishte pozitiv dhe u
konsiderua si premisë e rëndësishme për fillimin e “mbjelljes” së bazave të demokracisë në një
vend të dalë nga lufta dhe me institucione të brishta.

Për dallim nga sot, atëherë UNMIK-u kishte vendosur që sistemi zgjedhor të ishte me lista të
mbyllura, për shkak të ndarjeve të thella etnike dhe me qëllim që t’u mundësohej minoriteteve
përfaqësim sa më i madh në institucione. Këtë e thekson edhe autori Taylor (2005), i cili pohon se
konfliktet midis pakicave duhet të merren parasysh në mënyrë që të krijohet qeverisje efektive.

Zgjedhjet pas pavarësisë së Kosovës

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, institucionet vendore kishin marrë
për detyrë të organizonin së pari zgjedhjet lokale të vitit 2009 e pastaj ato nacionale të vitit 2010.
Fatkeqësisht, mbarëvajtja e tyre ishte jashtë parimeve demokratike dhe pati keqpërdorime të
mëdha, të njohura si “vjedhje industriale” të votave. Edhe pse ato u monitoruan nga shumë anëtarë
të shoqërisë civile, zyrtarë të BE-së dhe madje edhe nga ish-ambasadori amerikan Dell,
parregullsitë u konfirmuan nga KQZ-ja, e cila theksoi se pati 453 ankesa të llojeve të ndryshme
çka ndikoi rëndë në dëmtimin e demokracisë fragjile të shtetit të ri të Kosovës (KQZ, 2017). Edhe
pse pati reagime nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, nuk u ndërmorën hapa shtesë,
ngase bashkësia ndërkombëtare ishte më e interesuar për stabilitokraci sesa për demokraci të
mirëfilltë, duke pasur parasysh rrethanat e asaj kohe.

Një përmirësim i mbarëvajtjes së zgjedhjeve, si lokaleve të vitit 2013 ashtu edhe atyre nacionale të
vitit 2014 (D4D, 2015), u vërejt dukshëm dhe u vlerësua pozitivisht si në aspektin e demokracisë
së vendit, ashtu edhe në pjekurinë e partive politike. Mbi të gjitha, qytetarët e kuptuan se vota e
tyre e dhënë lirshëm dhe pa presion është ajo që vendos se kush do t’i përfaqësojë në institucionet
shtetërore. Kjo bëri që pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje të rritej nga viti në vit.
Në vitin 2017 pati pjesëmarrje më të lartë, ashtu si edhe në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021.
Mbarëvajtja e tyre u vlerësua pozitivisht nga faktorët ndërkombëtarë dhe vendorë si zgjedhje
demokratike, dhe Kosova u bë një shembull suksesi në organizimin e zgjedhjeve në rajon. Edhe
raportet e Komisionit Evropian vlerësuan se procedurat e organizimit të zgjedhjeve dhe votimit në
Kosovë pas pavarësisë kishin përjetuar përmirësime të jashtëzakonshme, përjashto disa mangësi
si: financimi i partive politike, pjesëmarrja e grave si të zgjedhura dhe si votuese, si dhe fushatat e
ashpra zgjedhore (Komisioni Evropian, 2014–2022).

Në përgjithësi, deri në zgjedhjet e vitit 2021, organizimi i tyre u vlerësua pozitivisht dhe Kosova
arriti të konsiderohej si shembull suksesi në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh historinë
dhe kontekstin e rajonit. Ky faktor, pra, zgjedhje të lira, demokratike dhe korrekte, ka ndikuar që
Kosova të rritet në rangim në aspektin e demokracisë dhe të kalojë nga një stabilitokraci në një
demokraci në zhvillim.

Ajo që është me rëndësi për një shtet të ri dhe institucionet e tij është ruajtja e këtij standardi,
pavarësisht se kush i fiton apo i humb zgjedhjet, ngase në fund fiton vetë Kosova. Duke mbajtur
zgjedhje demokratike dhe të pavarura, vendi dëshmon se suksesi nuk është rastësi apo i
përkohshëm, por rezultat i pjekurisë institucionale dhe qytetare.

Kosova këtë vit do ta përmbyllë me organizimin e tri palë zgjedhjeve, ngase më 28 dhjetor do të
mbahen sërish zgjedhje nacionale, për shkak se partia fituese e zgjedhjeve të mbajtura në shkurt
nuk arriti ta krijojë qeverinë, rrjedhimisht as shumicën parlamentare. Prandaj, është kruciale që
edhe këto zgjedhje të organizohen dhe të zhvillohen sipas standardeve demokratike, sepse vetëm
kështu Kosova dëshmon se është një shembull i qëndrueshëm dhe i pjekur në organizimin e
zgjedhjeve, qoftë lokale apo nacionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button