
“Quod licet Iovi, non licet bovi.”
(Ajo që i lejohet Jupiterit, nuk i lejohet kaut.)
Në fondin e barcoletave popullore shqiptare gjendet edhe ajo me delen dhe dhinë. Dhia i thotë deles: “Ta pashë”, ndërsa delja ia kthen: “Unë po ta shoh për çdo ditë, por s’po them kurgjë.”
Në pamje të parë kjo barcoletë është e thjeshtë, por në thelb ajo përmban një nga ligjet më të vjetra të jetës shoqërore. Jo, çdo fjalë ka të njëjtën peshë dhe jo çdo njeri mund të matet me të njëjtin kandar.
Kjo është arsyeja pse njëfarë kategorizimi është i domosdoshëm. Shoqëritë funksionojnë mbi dallime rolesh, përgjegjësish dhe historish. Ta zëmë, nuk është mirë të krahasohet studenti me profesorin, as gjyqtari me të pandehurin. Nuk është mirë, pra, të krahasohet ai që mban barrën e vendimmarrjes me atë që e komenton atë nga jashtë. Kategoritë nuk janë gjithmonë hierarki, ndonëse edhe mund të jenë të tilla. Më shpesh ato janë thjesht dallime të natyrshme që duhen marrë parasysh për të kuptuar drejt realitetin.
Kategorizimi nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit por ka të bëjë edhe me peshën e veprimeve të tyre. E njëjta fjali mund të ketë pasoja krejt të ndryshme varësisht se kush e shqipton. I njëjti veprim mund të marrë kuptime të ndryshme varësisht nga historia e atij që e kryen. Një fjalë e një qytetari të zakonshëm mund të humbas në zhurmën e përditshme, ndërsa një fjali e një kryeministri mund të ndryshojë debatin publik. Nuk mund të themi se kjo është padrejtësi. Thjeshtë, kjo ka të bëjë me natyrën e përgjegjësisë. Sa më e madhe përgjegjësia, aq më e madhe pesha.
Prandaj proverbi latin “Quod licet Iovi, non licet bovi” nuk duhet kuptuar si justifikim i privilegjit, por si njohje e dallimeve reale. Jupiteri nuk është kau dhe kau nuk është Jupiteri. Secili mbart një peshë të ndryshme, një histori të ndryshme dhe një rol të ndryshëm. Të pretendosh se të dy mund të maten me të njëjtën masë është sikur ta mohosh vetë realitetin.
(Jo) kategorizimet shqiptare sot
Kam përshtypjen se në Kosovë (dhe lirisht mund të thuhet në gjithë hapësirën shqiptare), ky parim harrohet shpesh (për të mos thënë se nuk ka ekzistuar kurrë). Debati politik kosovar është një arenë ku çdo gjë krahasohet me çdo gjë dhe ku çdo dallim historik tentohet të fshihet. Në qendër të këtij debati, sot, gjendet kryeminsitri në detyrë Albin Kurti dhe qeverisja e tij. Kritikat ndaj tij janë të shumta. Disa prej këtyre kritikave janë legjitime dhe të nevojshme për një demokraci të shëndoshë. Ndërsa shumë të tjera janë të ekzagjeruara, madje shpesh shkojnë deri në shpifje. Por problemi më i madh nuk qëndron te kritika. Problemi qëndron te mënyra e krahasimit.
Kur një kryeministër i përgjigjet kritikave duke kujtuar periudhat kur kundërshtarët e sotëm ishin në pushtet, kjo paraqitet (dhe kështu duket realisht) si shmangie e përgjegjësisë. Por a është vërtet kështu? Apo kemi të bëjmë me një përpjekje për të vendosur kategoritë në vendin e tyre?
Duhet ta dime që një qeveri nuk do të duhej të gjykohej në vakum. Mbase është mirë që ajo të krahasohet me alternativat reale që ka pasur vendi. Nëse opozita e sotme ka qeverisur dje, atëherë historia e saj duhet të bëhet pjesë e pashmangshme e gjykimit publik. Nuk mund të kërkohet që një qeveri të japë llogari për çdo veprim të vetin, ndërsa atyre që kanë qeverisur për vite me radhë t’u dhurohet papërgjegjësia. Kjo do të ishte jo drejtësi, por amnezi politike.
Pesha e kategorizimit
Albin Kurti dhe “blloku opozitar” sot, për ta thënë troç, nuk ndodhen në të njëjtën kategori politike. Kjo nuk është çështje simpatie siç mund të gjykohet (dhe siç do të gjykohet, me siguri), por çështje historie. Njëra palë e kaloi pjesën më të madhe të historisë së pasluftës duke administruar pushtetin dhe duke prodhuar një sistem që për vite me radhë u shoqërua me akuza të vazhdueshme për korrupsion, klientelizëm dhe kapje të institucioneve. Ndërsa pala tjetër erdhi në pushtet pikërisht duke e sfiduar atë model dhe, pas qeverisjes, duke dhënë shembuj se është “ndryshe” në disa aspekte.
Prandaj, ndoshta do të ishte mirë që para se të krahasohen individët, apo edhe qeveritë, duhet të krahasohen trashëgimitë politike që ata përfaqësojnë. Nuk është rastësi që për shumë qytetarë, tani në fushatë, dallimi themelor nuk qëndron te premtimet, por te perceptimi i integritetit të folësve. Në vetëdijen kolektive ekziston një dallim i qartë ndërmjet një klase politike që për dekada u përball me akuza të shumta për afera korruptive dhe një kryeministri ndaj të cilit kundërshtarët kanë ngritur shumë akuza politike, por nuk kanë arritur të ndërtojnë narrativën e një pasurimi personal apo të një afere korruptive që do të mbetej simbol i qeverisjes së tij. Ndoshta pikërisht këtu duhet ta shohim ndryshimn e kategorisë.
Shpesh dëgjohet argumenti se opozita e sotme ka ndërtuar rrugë, autostrada dhe punë të tjera të karakterit infrastrukturor. Askush nuk e mohon ekzistencën e tyre. Rruga është aty dhe shihet. Autostrada po ashtu. Betoni është i prekshëm. Por problemi është se politika nuk matet vetëm me kilometra të asfaltuara. Një shtet nuk ndërtohet vetëm duke lidhur qytete me autostrada. Mbase shteti ndërtohet duke lidhur institucionet me ligjin dhe pushtetin me përgjegjësinë.
Një autostradë mund të ndërtohet edhe nga një pushtet i korruptuar. Historia botërore është plot me regjime që kanë ngritur ndërtesa madhështore, por që kanë lënë pas vetes institucione të rrënuara. Prandaj çështja nuk është vetëm se çfarë është ndërtuar, por si është ndërtuar, me çfarë kostoje është ndërtuar dhe në shërbim të kujt është ndërtuar. Një urë lidh dy brigje. Një autostradë lidh dy qytete. Por sovraniteti lidh qytetarin me shtetin e tij. Integriteti institucional lidh ligjin me drejtësinë. Besimi publik lidh demokracinë me legjitimitetin. E di që këto gjërat e fundit janë gjëra që nuk mund të fotografohen lehtë me një Iphone, dhe nuk mund të maten me metra apo me kub betoni, por shpesh kanë peshë shumë më të madhe se çdo vepër infrastrukturore, materiale.
Prandaj, kur krahasohen qeverisjet e ndryshme, nuk mjafton të numërohen rrugët apo autostradat. Duhet të numërohen edhe institucionet e forcuara, sovraniteti i mbrojtur, ligji i zbatuar dhe dinjiteti shtetëror i ruajtur. Sepse, personalisht mendoj se një kilometër asfalt kushton më pak se një centimetër shtet.
Për fund
Sa për delen dhe dhinë, mbetet të shihet se cilës do t’i japë të drejtë koha. Por historia politike na mëson se qytetarët (siç ka thënë ai i ‘moçmi’), mund të mashtrohen për një kohë, por rrallëherë mund të mashtrohen përgjithmonë. Qytetarët duhet ta bëjnë dallimin ndërmjet atij që e kërkon votën duke i numëruar kilometrat e asfaltit dhe atij që e kërkon besimin duke folur për shtetin si vlerë në vetvete. Do të duhej që kujtesa jonë politike të mos ngecet në mes të ndonjë asfalti apo betoni, por të jetë e lidhur me aspiratat shekullore të popullit tonë, se ky dhe vetëm ky ,do të ishte shpagimi i gjithë sacrifices të bërë ndër breza.
Kam shpresë që, në fund të fundit, qytetarët do të dinë të dallojnë mes atij që flet nga barra e përgjegjësisë dhe atij që flet nga komoditeti i kujtesës së shkurtër.



